Kërkesa e Prishtinës për zhbllokim të buxhetit, Rama-Muratit: Boll me lojëra politike

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar ministrin në detyrë të financave, Hekuran Murati,  për bllokimin e buxhetit të Kryeqytetit dhe për, siç thotë ai, “lojëra politike”.

Në një status të publikuar në Facebook, Rama i ka kërkuar Muratit që të zhbllokojë buxhetin, duke theksuar se vendimet e tij po pengojnë zhvillimin e Prishtinës.

“Hekuran, mos rri tu e gjujt përgjegjësinë! Çka po ndodh me buxhetin e Prishtinës është rezultat i vendimeve të tua politike, i askujt tjetër!”, ka shkruar Rama.

Ai tha se komuna i ka dërguar sot Ministrisë së Financave një shkresë tjetër zyrtare për zhbllokimin e mjeteve, ndërsa akuzoi ministrin se po tenton të manipulojë opinionin publik përmes deklaratave në rrjete sociale.

“Çdo status që shkruan në Facebook nuk është kurgjo tjetër veçse një përpjekje e lodhtë për me manipulu narrativën publike dhe me zhvendos fajin”, shtoi ai.

Sipas Ramës, bëhet fjalë për 33 milionë euro të bllokuara, prej të cilave 23 milionë janë të hyra vetanake, ndërsa 10 milionë euro janë grant qeveritar.

“Ta kesh të qartë: asnjë status, asnjë justifikim dhe asnjë tentativë për t’u fshehur pas retorikës politike nuk do të të shpëtojë nga përgjegjësia publike për këtë situatë. Kryeqyteti nuk do të mbahet peng i kalkulimeve politike të askujt e as tënde!”, ka përfunduar Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *