
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se me homologun amerikan, Donald Trump, do të diskutojë “çështje të ndjeshme” në lidhje me propozimin e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Pas një periudhe të diplomacisë intensive në Gjenevë, Zelensky tha se “ka më pak se 28 pika dhe shumë shqyrtime të duhura janë marrë parasysh në këtë kornizë”, raporton televizioni CNN.
Të hënën, delegacioni ukrainas u kthye nga Zvicra dhe “raportoi për draftin e ri të hapave” – tha Zelensky. “Kjo është vërtet qasja e duhur. Unë do të diskutoj çështje të ndjeshme me presidentin Trump” – shtoi ai.
“Ne gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se Rusia nuk do ta lehtësojë presionin ndaj nesh, ndaj Ukrainës, ndaj popullit tonë. Këto ditë, këto javë, ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj alarmeve për sulme ajrore dhe ndaj të gjitha rreziqeve të ngjashme për sulme” – tha Zelensky në adresimin tradicional të mbrëmjes.
Presidenti e përmbylli fjalimin duke bërë apel për presion të mëtejmë ndaj Rusisë dhe që sulmet ndaj Ukrainës të ndalen në kohën e përtëritjes së bisedimeve.
“Nëse vërtet do t’i japim fund luftës, nuk duhet të ketë raketa, nuk duhet të ketë sulme masive ndaj Ukrainës, ndaj njerëzve tanë. Kjo mund të bëhet nga ata që janë vërtet të fuqishëm në botë. Shumë varet nga Amerika” – tha ai.














Leave a Reply