Prokuroria e Prizrenit ka bërë të ditur se gjatë procesit të rinumërimit janë evidentuar keqpërdorime të votave në rajonin e Prizrenit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu për Klan Kosova tha se ka autorizuar Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.
Siç thotë Kryeziu, manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë vepra penale dhe do të ndëshkohen pa kompromis.
“Si institucion i Prokurorit të Shtetit, kemi monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

“Në këtë drejtim, sot (e diel), në cilësinë e kryeprokurorit me vetiniciative kam lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.
“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndroj i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”, tha Kryeziu për Klan Kosova.















Leave a Reply