Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në një grabitje të armatosur që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 shkurtit 2026 në Prizren, ndërsa një i dyshuar tjetër ndodhet ende në arrati.


Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rreth orës 01:10 janë paraqitur dy viktima, një mashkull dhe një femër, të cilët kanë raportuar se janë sulmuar nga tre persona të maskuar dhe të armatosur me thikë dhe pistoleta. Të dyshuarit, nën kërcënim, u kanë marrë viktimave një shumë parash që ata kishin me vete.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë intervistuar viktimat dhe, pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, kanë nisur procedurat hetimore. Si rezultat i një pune intensive nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, janë identifikuar katër persona të dyshuar për këtë rast.
I dyshuari i parë është arrestuar pranë një lokali në Prizren. Gjatë kontrollit, policia i ka gjetur atij një armë në trup, ndërsa në automjetin e tij janë sekuestruar një armë tjetër, dy maska, doreza dhe rroba që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes. Me një plan taktik të organizuar dhe mbështetje nga njësitë tjera policore, janë arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë në një lokacion tjetër në qytet.
Me urdhër të Prokurores së rastit, janë kryer bastisje edhe në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve si dhe në një lokal, ku janë gjetur prova shtesë relevante për rastin. Dy nga të arrestuarit, në prani të avokatëve mbrojtës, kanë pranuar kryerjen e veprës penale.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, tre të dyshuarit K.K. (20 vjeç), Sh.G. (20 vjeç) dhe L.G. (36 vjeç) janë ndaluar për 48 orë. I dyshuari i katërt, V.S., nuk është gjetur në vendbanimin e tij dhe aktualisht është në kërkim nga autoritetet.
Hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.














Leave a Reply