
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka këmbëngulur se nuk do të ketë shtet palestinez, edhe nëse kjo do t’i kushtojë vendit me mungesën e normalizimit të marrëdhënieve me Arabinë Saudite.
“Nuk do të ketë një shtet palestinez. Është shumë e thjeshtë: ai nuk do të themelohet” – tha Netnayahu në një intervistë me kanalin e popullarizuar lokal në rrjetin “Telegram”, “Abu Ali”.
Kur u pyet nga intervistuesi nëse kundërshtimi i tij ndaj themelimit të një shteti palestinez nuk do të luhatet edhe nëse një qëndrim i tillë e rrezikon normalizimin e marrëdhënieve me Riadin – i cili kërkon një shteg të besueshëm drejt shtetësisë palestineze në këmbim të lidhjeve diplomatike me Izraelin – Netanyahu tha: “Përgjigjja është: një shtet palestinez nuk do të themelohet. Ai është rrezik ekzistencial ndaj Izraelit.”
Në pyetjen se çfarë e ka parandaluar normalizimin e marrëdhënieve me sauditët, kryeministri izraelit tha se lufta në Gaza e ka tendosur progresin, por se “mund të zhvillohen kushtet” tani që lufta po shkon drejt fundit, raporton “The Times of Israel”
“Por kushtet duhet të jenë të pranueshme për të dyja palët – kushte që janë të mira për të dyja palët” – paralajmëroi ai.
“Unë di si të qëndroj i palëkundur për kushtet tona thelbësore dhe të mos e rrezikoj sigurinë tonë, e nëse ky proces piqet më vonë, shkëlqyeshëm. Nëse jo, ne do t’i mbrojmë interesat tona jetike” – shtoi Netanyahu.
Më herët këtë javë, princi saudit, Mohammed bin Salman, tha se vendi i tij dëshiron që të bëhet pjesë e Akordeve të Abrahamit, por bëri thirrje për nevojën e sigurimit të një rruge drejt një zgjidhjeje me dy shtete mes Izraelit e palestinezëve. Ai i bëri këto komente në takimin që e pati në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan, Donald Trump.













Leave a Reply