
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kritikuar ashpër gjendjen në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), duke thënë se ky institucion është i kapur nga grupe interesi që mbrojnë vetëm interesat e tyre dhe të individëve jashtë Këshillit, duke i lënë pas prioritetet e sistemit prokurorial.
Në një postim në rrjetet sociale, Haxhiu theksoi se kjo situatë është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm, ndërsa reforma e planifikuar për janar 2026 është një hap i domosdoshëm për rikthimin e integritetit në KPK, raporton lajmi.net
“Që nga viti 2021, kur kemi nisur reformat në drejtësi, synimi ka qenë i qartë: heqja e kontrollit të një rrethi të ngushtë njerëzish, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, eliminimi i ndikimit të grupeve të interesit që e kanë përdorur institucionin për interesa personale e grupore, forcimi i meritokracisë mbi lidhjet apo klanet, dhe krijimi i një institucioni që funksionon në shërbim të publikut, jo të individëve të privilegjuar.”
Postimi i plotë:
Sot të gjithë po e shohin qartë atë për të cilën kemi paralajmëruar ndër vite. KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi që nuk e kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial, por mbrojtjen e interesave të tyre dhe të individëve jashtë Këshillit.
Ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm.
Reforma në KPK pritet të jetësohet në janar 2026, dhe ky është një hap i domosdoshëm për rikthimin e integritetit në institucion.
Që nga viti 2021, kur kemi nisur reformat në drejtësi, synimi ka qenë i qartë, heqja e kontrollit të një rrethi të ngushtë njerëzish, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, eliminimi i ndikimit të grupeve të interesit që e kanë përdorur institucionin për interesa personale e grupore, forcimi i meritokracisë mbi lidhjet apo klanet, dhe krijimi i një institucioni që funksionon në shërbim të publikut, jo të individëve të privilegjuar.
Shumicës së anëtarëve aktualë të KPK-së kjo reformë u ka penguar që nga dita e parë. Ata kanë përdorur çdo mjet të mundshëm për ta bllokuar, por nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin, sepse drejtësia dhe interesi publik nuk mund të ndalen nga grupe të izoluara interesi./Lajmi.net/














Leave a Reply