Ka përfunduar intervistimi i Faton Pecit nga Prokuroria Speciale.
Lajmin për lajmi.net e ka konfirmuar Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Ju njoftojmë se z. Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve,i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.”, tha për lajmi.net Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Prokuroria Speciale ka intensifikuar hetimet për “grantet” e Ministrisë së Bujqësisë, nga të cilat dyshohet se përfituan familjarë të pushtetarëve, përfshirë vëllain e ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

Në kuadër të thellimit të hetimeve për këtë rast, Paparaci raporton se Prokuroria Speciale ka intervistuar të enjten ish-deputeten Pacolli.
Afera e granteve të Ministrisë së Bujqësisë “shpërtheu” në nëntorin e vitit 2024, kur eksponentë opozitarë hodhën dyshime për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove në emër të granteve në bujqësi.
Sipas denoncimeve që erdhën nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ministria e Bujqësisë i kishte dhënë grant në vlerë rreth 100 mijë euro kompanisë “Alda Farm Ria” në pronësi të Blerim Pacolli, vëllait të ish-kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Fitore Pacollit./lajmi.net














Leave a Reply