Ekstradohet nga Gjermania në Kosovë i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe njësitë relevante policore, ka realizuar me sukses ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Gjermania.

I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane pasi ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për vuajtjen e një dënimi me burg prej një viti, dënim nga i cili ishte shmangur duke u larguar jashtë vendit, raporton lajmi.net

Ky ekstradim u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Kosovës dhe Gjermanisë, duke dëshmuar përkushtimin e të dy vendeve në luftën kundër kriminalitetit dhe shmangies së drejtësisë.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari iu dorëzua njësive policore në rajonin e Pejës për të vazhduar me procedurat ligjore të mëtejshme.

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, në përpjekje për parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave kriminale, si dhe kapjen e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit./Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *