Albin Kurti lavdëron rritjen ekonomike, ikja e qytetarëve lë vendin pa fuqi punëtore

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë së fundmi një deklaratë që ka ngjallur reagime, duke theksuar se rritja e ndjeshme ekonomike ka sjellë mungesë të fuqisë punëtore në Kosovë. Sipas tij, zhvillimi i shpejtë i ekonomisë ka krijuar kërkesa më të mëdha për punëtorë, të cilat aktualisht nuk po mbulohen plotësisht.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë vizitave të tij në fabrika në zonën e Ferizajt ka vërejtur praninë e punëtorëve të huaj nga vende të ndryshme. Ai tha se në këto ndërmarrje punojnë inxhinierë dhe specialistë nga Turqia, Kina, Pakistani, Bangladeshi dhe Filipinet, duke theksuar se kjo nuk përbën problem, por është tregues i rritjes ekonomike dhe i zgjerimit të bizneseve në vend.

Sipas Kurtit, mungesa e fuqisë punëtore vendore është pasojë e zhvillimit të shpejtë ekonomik, duke e krahasuar situatën e Kosovës me atë të Gjermanisë dhe Austrisë, të cilat ndër vite kanë pranuar punëtorë të huaj për të mbështetur ekonomitë e tyre. Ai shtoi se sa më shumë që Kosova i afrohet Bashkimit Evropian, aq më e madhe bëhet edhe ardhja e punëtorëve nga jashtë.

Megjithatë, në fjalimin e tij në Obiliq, Kurti nuk përmendi të dhënat zyrtare mbi emigrimin e qytetarëve nga Kosova. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm gjatë vitit 2024, nga vendi janë larguar 37,451 banorë, ndërsa në të njëjtën periudhë kanë imigruar vetëm 9,038 persona.

ASK ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024, Kosova ka pasur një rritje natyrore të popullsisë prej 10,888 banorësh, ndërsa 21,513 qytetarë kanë ndërruar vendbanimin brenda vendit. Po ashtu, popullsia rezidente e Kosovës ka shënuar rënie, nga 1,603,115 banorë në vitin 2023 në 1,585,590 banorë në vitin 2024. Inovacioni.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *