Rikthehet në operim blloku B2 në KEK: forcohet stabiliteti i sistemit energjetik

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) bën të ditur se Njësia B2 ka përfunduar me sukses sanimet dhe ekzaminimet e pajisjeve kryesore, sipas planit dhe dinamikës së parashikuar. Sipas njoftimit, njësia është startuar me sukses dhe sinkronizuar me rrjetin rreth orës 20:26, duke garantuar vazhdimësinë e prodhimit dhe stabilitetin e sistemit elektroenergjetik, raporton KosovaPress.

“Ky rezultat dëshmon përkushtimin e KEK sh.a. për operim të sigurt, efikas dhe të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese, si dhe aftësinë e ekipeve teknike dhe menaxhuese për të kryer ndërhyrje preventive dhe riparime të domosdoshme në kohë optimale”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

KEK sh.a. falënderon stafin teknik dhe punonjësit për profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e palodhur, të cilët mundësuan rifillimin e operimit të Njësisë B2 pa vonesa dhe në përputhje me standardet më të larta operacionale.

Ndryshe, të martën në mëngjes, një pjesë e vendit u përball sërish me reduktime të rrymës. Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike – KESCO ka njoftuar se, reduktimet u rikthyen për shkak të kushteve të vështira dimërore.

“Kjo ka ardhur si pasojë e temperaturave të ulëta dhe rritjes së konsiderueshme të konsumit të energjisë elektrike, per shkak të përdorimit të shtuar për ngrohje”, thuhet në njoftimin e KESCO. Shkruan KosovaPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *