Ish-opozita nuk ka votë për Qeverinë Konjufca

Ish-partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë shprehur të bindura që nuk do ta mbështesin një Qeveri të Lëvizjes Vetëvendosje, ani pse e njëjta e propozoi për mandatar për kryeministër të “preferuarin” e tyre, Glauk Konjucën.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami në një intervistë për Ekonomia Online, tha se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, po e thotë një të pavërtetë kur thotë se ka numrat që ta bëjë Qeverinë në krye me tashmë mandatarin Konjufca, transmeton Klankosova.tv.

Behrami e ka bërë të qartë qëndrimin e PDK-së që vendi të shkojë sa më shpejt në zgjedhje.

“Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim. Partia Demokratike e Kosovës është që të shkojmë sa më shpejt në zgjedhje dhe të kemi parlament dhe qeveri të re. Qeveria kurrë si ka pas numrat, as për kuvend e as për qeveri pra ata kanë rrejt tash e një vit. Por rrena është doktrinë politike e Albin Kurtit e fatkeqësisht nuk është doktrinë shqiptare por është doktrinë serbe”, theksoi Behrami.

Behrami tha se kryeministri në detyrë i ka okupuar institucionet.

“PDK nuk është thy tash e një vit prej tundimeve të ndryshme, ofertave, presionet e shantazheve të ndryshme nuk do të thehet as tani. Vendi duhet të shkoj në zgjedhje as presidentja Osmani as kryeministri i cili i ka okupuar institucionet nuk mund ta ndalojnë këtë”, shtoi deputeti i PDK-së.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj tha se partia e tij nuk ka votë për LVV-në dhe nënvizoi se vendi është në ngërç politik, sipas tij, nga lojërat e fituesit të zgjedhjeve.

“Ne e kemi bërë shumë të qartë disa herë dhe e them sërish se nuk kemi votë për Lëvizjen Vetëvendosje, ne e kemi thënë qartazi se kemi interesim, ka kalu kohë, kemi humb muaj të tërë në ngërç politikë dhe në lojëra politike të fituesit të zgjedhjeve tash është radha për zgjedhje të reja dhe pastaj qytetarët e Kosovës me vendos se si do të duket qeveria e ardhshme e Kosovës. Duhet të shkojmë në zgjedhje sa më parë të jetë e mundur në mënyrë që me i arrit afatet tjera kushtetuese e sidomos buxheti i vendit është shumë me rëndësi të votohet pas krijimit të institucioneve të vendit”, theksoi deputeti i LDK-së.

Zogaj shtoi se LVV nuk ka tentuar të ketë një komunikim me LDK-në pas propozimit të mandatarit të dytë dhe theksoi se as mandatari i dytë nuk ka bërë ndonjë lëvizje.

“Ne nuk po shohim ndonjë lëvizje, unë nuk kam informacion që në drejtim tonin ka ardhë në një kërkesë por nuk po shoh ndonjë informacion që ne drejtime tjera ka ardhë kërkesa për të kriju një qeveri të re. Është qasja e njëjtë sikur përpara si me mandatarin e parë, Kurti nuk bënte asnjë lëvizje për të kriju institucionet e vendit njëjtë edhe mandatari i dytë që nuk është duke bërë asnjë lëvizje po e pret ditën e fundit dhe pastaj të shkojmë në kuvend dhe të bëjmë shohë pa asnjë tendencë për të kriju institucionet e vendit, kjo është problematika, këtu e kemi problemin e madh dhe meqenëse nuk ka votë atëherë nuk po thirret as seanca e meqenëse nuk po ka votë as nuk do të ketë qeveri të re e as zgjedhje të reja”, shtoi Zogaj.

Edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk do ta takohen me VV-në pa pasur ndonjë ofertë konkrete.

Më 9 shkurt kanë qenë zgjedhjet nacionale ndërsa Kosova gjendet pa institucione tash e mbi 9 muaj. Ngërçi politik erdhi si pasojë e mosvotimit të qeverisë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Së fundmi është propozuar mandatari i dytë Glauk Konjufca, vendim që erdhi nga afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *